AlbanianSport.com 17.02.2016 14:55
ASNN – Kukësi, Flamurtari dhe Skënderbeu janë tre skuadrat e para gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Ndërsa skuadra e katërt gjysmëfinaliste e kësaj veprimtarie do të përcaktohet në përfundim të ndeshjes së fundit, asaj midis Partizanit dhe Laçit, e cila do të nisë në orën 17:00.
Në përfundim të tre ndeshjeve të para, janë përcaktuar kështu 3 skuadrat gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Kukësi ka mundur Teutën me rezultatin 2-0 duke e bërë të pavlefeshme fitoren 1-0 të durrsakëve në ndeshjen e parë. Skuadrës kukësiane i kanë mjaftuar dy golat e realizuar nga Shameti në pjesën e parë dhe Malota në të dytën për të arritur kualifikimin.
Emocionet e kësaj sfide u përcollën për teleshikuesit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit shqiptar. Në stadiumin “Selman Stërmasi”, Flamurtari ka fituar me Tiranën 2-1 duke arritur të kualifikohet për më tej në Kupën e shqipërisë. Bardheblutë të nervozuar e kanë mbyllur takimin me 9 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Hoxhallarit dhe Teqjes.
Ndërsa në Korçë, Skënderbeu ka fituar 2-1 me Vllazninë dhe kualifikohet për më tej. Skuadra e katërt gjysmëfinaliste e Kupës së Shqipërisë do të përcaktohet në përfundim të takimit Partizani-Laçi, që do të nisë në orën 17.00. Ndeshja e parë midis këtyre dy skuarave është mbyllur me fitoren e Laçit 2-0.
Kupa e Shqipërisë
Ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve:
Të mërkurën:
Kukësi – Teuta (0-1) 2-0
Skënderbeu – Vllaznia (0-0) 2-1
Tirana – Flamurtari (1-0) 1-2
Partizani – Laçi (0-2) (17:00)
Shënim: Në kllapa është shënuar rezultati i ndeshjes së parë.