Gjergj Vyshka 17.02.2016 12:05
Nevoja për një menaxhim më të mirë të sportit dhe organizatave sportive ka orientuar Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC) në krijimin e programeve të ndryshme për trajnimin dhe kualifikimin e burimeve njerëzore.
Një ndër këto programe është “Kursi i Avancuar për Menaxhimin Sportiv”, i cili i është deleguar Komiteteve Olimpike në të gjithë botën për ta realizuar atë në gjuhët anglisht, frëngjisht dhe spanjisht.
Kurrikula e këtij kursi është e hartuar dhe mirë përcaktuar nga ekspertët më të mirë të fushës së Menaxhimit Sportiv. Por për të zhvilluar një kurs të tillë, Solidariteti Olimpik kualifikon dhe licencon Drejtorët e Programeve për çdo shtet.
Modeli i zbatimit të këtij kursi në Shqipëri ka lënë gjurmë pranë Solidaritetit Olimpik. Në trajnimin e zhvilluar për Drejtorë Programi të ASMC për vendet Frankofone (CAMS), nga data 1, deri më 6 shkurt në Lozanë të Zvicrës, Solidariteti Olimpik pati ftuar Stavri Bellon (Drejtor Programi i ASMC për Shqipërinë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar) për t’u bërë pjesë e trupës trajnuese për drejtorët të rinj.
Për Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar përfaqësimi i sekretarit Bello në këtë nivel është një nder dhe privilegj. Sepse kështu jo vetëm që përfaqësohet në Lëvizjen Olimpike Botërore, por gjithashtu është kontribues në këtë Lëvizje.