Gjergj Vyshka 17.02.2016 08:45
Shqipëria do të jetë organizatore e Kampionatit Ballkanik të Rrugës për kategorinë “elitë” dhe për moshën deri në 23 vjeç, që pritet të zhvillohet në Elbasan. Kështu ka vendosur Asambleja e Zakonshme e Federatës Ballkanike të Çiklizmit, e cila fundjavën e kaluar është zhvilluar në Shkup të Maqedonisë.
Çiklizmi shqiptar është përfaqësuar nga Presidenti i Federatës së dyrrotakëve, Skënder Anxhaku, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Alfred Tahiraj. Madje pjesë e delegacionit ka qenë edhe Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, si dhe gjyqtari Ardi Dreni.
Kampionati Ballkanik i Rrugës në Elbasan përfshin garën e kronometrit individual dhe atë të rrugës. Ky kampionat është kërkuar dhe nga vende të tjera, por është vendosur Shqipëria, ndërsa një veprimtari e tillë rajonale, por për moshat është zhvilluar në Korçë më 2007-ën.
Tashmë çiklizmi shqiptar bëhet gati të zhvillojë dhe veprimtaritë kombëtare, pa harruar këtu dhe ato ndërkombëtare, mes të cilave dhe kualifikueset për Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.