AlbanianSport.com 16.02.2016 19:55
ASNN – Klubi që militon në nivelin e dytë të Kampionatit Kombëtar të Fubollit, Ada e Velipojës, është duke përjetuar një prej sezoneve më të vështira, pasi ka një shumë të konsiderueshme borxhesh ndaj FSHF-së dhe është në një krizë të thellë financiare. Presidenti i skuadrës, Alfred Pjetri, i ka bërë thirrje disa herë Bashkisë së Shkodrës dhe biznesmenëve të ndryshëm, që kanë dëshirë të ndihmojnë skuadrën, të afrohen.
Por, deri tani, një gjë e tillë nuk është bërë realitet, madje, velipojakët rrezikuan pjesëmarrjen në kampionat për pjesën e dytë të sezonit, pasi një ditë përpara ndeshjes së të shtunës, nuk kishin shlyer ende detyrimet. Siç bën të ditur faqja zyrtare e skuadrës në internet, vetëm paraditen e ndeshjes është bërë e mundur shlyerja e borxhit në FSHF.
Por, tashmë skuadra kishte nevojë për karburant. Drejtuesit nuk kanë pasur mundësi të sigurojnë udhëtimin drejt Krujës për të luajtur, raporton e përditshmja sportive shqiptare, “Panorama Sport”, e cila ka mësuar nga burime brenda ekipit velipojak se ka qenë vetë trajneri, Ilir Dibra, që mban edhe rolin e drejtorit teknik, ai që ka paguar mikrobusin për skuadrën që të udhëtojnë drejt Krujës.
Dibra ka vënë dorën në zemër dhe ka shpenzuar nga xhepi i tij për të mos i shkaktuar Adës një humbje të garantuar në tavolinë. Nuk është hera e parë që në futbollin shqiptar ndodhin ngjarje të tilla, pasi klubet janë në krizë të thellë financiare dhe e kanë shumë të vështirë përballimin normal të një kampionati. Prej disa sezonesh, Ada është në një situatë të vështirë dhe lufton gjithmonë për mbijetesë.
Aktualisht, skuadra e ish-Komunës bregdetare është në vendet e fundit në renditje dhe do t’i duhet shumë “luftë” që të arrijë t’i shpëtojë rënies. Ndeshjet brenda, velipojakët i luajnë në fushën sportive në Shkodër, “Reshit Rusi”.