Gjergj Vyshka 15.02.2016 21:40
Ashtu sikurse ka lajmëruar edhe Sekretari i Përgjithshëm i kësaj Federate, Armand Çakalli, Shqipëria e hendbollit ka mësuar të shtunën kundërshtarët e turneut të vendeve në zhvillim. Është një veprimtari, i cila ka ndërthurjen dhe angazhimin edhe të Federatës Botërore, por dhe asaj Evropiane, me qëllim që hendbolli të shtrihet sa më shumë.
Bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Kombëtares së të rejave, ose ndryshe të moshës deri në 19 vjeç, që do të zhvillohet në Gjeorgji, nga data 8, deri më 13 mars. Shqipëria, gjithnjë sipas informacionit që jep Çakalli, do të jetë përballë Qipros, Lituanisë dhe Gjeorgjisë në grupin A. Ndeshja e parë do të jetë me qipriotet, më pas ndaj Lituanisë dhe në fund ndaj vendaseve gjeorgjiane.
“Në bazë të klasifikimit, atje ku kualifikohen dy të parat e grupeve, më 10, 11 dhe 13 mars 2016, do të luhen gjysmëfinalet dhe finalja, – ka sqaruar nr. 2 i organizmit që qeveris hendbollin shqiptar ende në konsolidim. – Më duhet të them dhe të falënderoj Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, e cila ka bërë uniformat e përfaqësimit, si dhe kompaninë “Lajthiza Sh.A që e ka pajisur ekipin me dy uniforma të tjera.”
Kjo do të jetë hera e parë që Shqipëria e Nën-19-vjeçareve në hendboll për femra merr pjesë në këto veprimtari.