AlbanianSport.com 15.02.2016 20:45
ASNN – Me rastin e Pavarësisë së Kosovës, do të zhvillohet një miqësore në futboll për femra ndërmjet përfaqësueses së Shqipërisë dhe asaj Kosovës, takim ky që do të luhet më 17 shkurt, duke nisur nga ora 14:00. Këtë miqësore e ka konfirmuar edhe Federata e Futbollit të Shqipërisë nëpërmjet faqes së saj zyrtare në Internet.
Takimi do të zhvillohet në “Elbasan Arena”. “Kombëtarja e të rriturave, do të zhvillojë të mërkurën më datë 17 shkurt, në orën 14.00 në stadiumin “Elbasan Arena”, një ndeshje miqësore ndaj skuadrës kombëtare të Kosovës”, – shkruhet në njoftimin e organizmit që qeveris futbollin shqiptar.
“Ky takim, do të zhvillohet pikërisht në një ditë historike, – vijon më tej njoftimi në fjalë. – Atë të përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Nga ana tjetër ai do të ketë edhe vlera teknike për shkak se do të jetë një test i mirë, për të parë nga afër gjendjen e futbollistëve.”
“Kjo, më tepër i shërben ekipit të trajnerit Altin Rraklli, pasi më 4 mars 2016, skuadra e tij do të luajë në “Elbasan Arena”, ndeshjen e radhës për eliminatoret e Kampionatit Evropian “Holandë 2017”, atë kundër Ukrainës”, – ka përfunduar njoftimi i FSHF-së.