Gjergj Vyshka 15.02.2016 16:10
Federata Shqiptare e Basketbollit ka zhvilluar dje testimin teorik dhe praktik të gjyqtarëve të saj. Por risia ka qenë testimi i tre gjyqtareve që është përshëndetur dhe nga Federata Shqiptare e Basketbollit.
Sepse, sipas tyre, lëvizja femërore nuk është vetëm në gjykim, por dhe në trajningun e basketbollit. Ndaj dhe duhet përshëndetur. Në testim ka qenë një numër i bollshëm gjyqtarësh, të gjithë ata që janë protagonistë jo vetëm në Superligë dhe Kategori të Parë, por dhe tek moshat.
E testimet janë kryer nga vëzhguesi Jorgji Shundi, që ka qenë edhe përgatitësi i rregullores së basketbollit. E tashmë këta gjyqtarë janë gati për veprimtaritë kombëtare, ndërsa kampionati rikthehet në periudhën 26-28 shkurt 2016.