Gjergj Vyshka 15.02.2016 13:25
Presidenti Pëllumbi shton urat e miqësisë me Turqinë: “Jam i kënaqur që gjyqtarët kanë firmosur kontratën e shërbimit me Federatën. Nëpërmjet federatës turke kemi arritur mbështetjen jo vetëm për kombëtaret në Ligën e Evropës, por dhe për gjyqtarët. Në mars, seminar me gjyqtarët, me kryetarin e gjyqtarëve turq, Umit Sokullu.”
Në Turqi, presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi, ka shkuar jo vetëm për të forcuar marrëdhëniet institucionale që lidhen me përgatitjen e kombëtareve në prag të Ligës së Evropës, por dhe për një përvojë më shumë për gjyqtarët. “Federata do të vazhdojë edhe në të ardhmen të ketë në fokusin e punës së saj gjyqtarët dhe ngritjen e cilësisë së gjykimit”, – ka thënë ai.
“Kështu ne seminarin e ardhshëm, që do të organizohet për gjyqtarët në muajin mars, ne kemi siguruar edhe mbështetjen dhe pjesëmarrjen e partnerëve tanë nga Federata e Volejbollit të Turqisë”, – ka vijuar më tej kreu kreu i organizmit që qeveris volejbollin shqiptar.”
“Vetë kryetari i komisionit te gjyqtarëve në Federatën turke, Umit Sokullu, do të jetë pjesë e këtij seminari duke sjellë një eksperiencë të gjerë në fushën e gjykimit”, – ka përfunduar Pëllumbi, ndërsa ka pasur edhe një bisedë të gjatë me homologun e tij turk, Ozgan Mutlugil.