Gjergj Vyshka 15.02.2016 08:50
Miridon Vllasaliu është fituesi i garës së zbritjes (downhill) në “Mountain bike” (apo biçikleta malore), që është zhvilluar dje në Tiranën në një lartësi piste prej 420 metrash. Në turin e parë kanë qenë 28 pjesëmarrës, që më pas janë reduktuar në 14 në turin e dytë.
Për të vijuar më pas, në të tretin, me 8, dhe, në fund, në finale, kanë qenë katër. Në përfundim Vllasaliu ka qenë fitues me rezultatin 46 sekonda e 40 të qindtat. Në vendin e dytë, Isert Gjatolli me kohën 47”76, në të tretin Andi Qyqja, me kohën 48”78 dhe i katërti Fabiano Demneri 52”76.
Fituesi ka marrë edhe një shpërblim prej 100 euro. Kategoritë kanë qenë të ndara në Elitë, Nën-19-vjeçarët dhe Femra dhe gjithçka me mbështetjen e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit. Kjo ka qenë gara e tretë e “mountain bike”, në Shqipëri me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Çiklizmit.