Gjergj Vyshka 14.02.2016 09:20
Ditën e premte është zhvilluar Asambleja Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Sportit Shkollor, ndërsa Vladimir Rada është zgjedhur president i saj. Në të kanë marrë pjesë edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Rauf Dimraj, por dhe presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Dimraj i ka uruar suksese kësaj Federate në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ndërsa gjithashtu e ka falënderuar dhe Bezhanin për përshëndetjen e tij.
“Ministria e Arsimit dhe Sportit do të bashkëpunojë ngushtësisht me këtë Federatë, e cila duhet të ketë një bashkëpunim të ngushtë dhe me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, – ka thënë zv/Ministri i Sportit. – Ndihem i kënaqur për këtë hap të rëndësishëm që ka të bëjë me zhvillimin e platformës së edukimit fizik dhe sportit në sistemin arsimor, i cili do të garantojë një rini më të shëndetshme, si dhe një forcim të trinomit Mësues-Nxënës-Prind.”
Dimraj ka bërë të ditur se kësaj Federate do t’i anëtarësohen edhe shoqatat e edukimit fizik dhe sportit shkollor në Lezhë, Gjirokastër e Korçë. “Unë jam i bindur që KOKSH-i do të jetë një mbështetës i fuqishëm për rritjen dhe forcimin e këtij organizimi”, – ka shtuar Dimraj, ndërsa Bezhani ka premtuar mbështetjen e plotë të lëvizjes olimpike shqiptare për këtë Federatë të re. “Më vjen mirë që në krye të këksaj federate është zgjedhur Vladimir Rada, me përvojë në këtë detyrë”, – ka thënë ai.
“Duke nisur nga klasat sportive do të arrijmë në të ardhmen të ndërtojmë ekipet elitare në çdo sport. Edhe KOKSH do të jetë një partner dhe bashkëpunëtor i rëndësishëm i kësaj Federate, gjithnjë në krah të saj, për të përhapur dëshirën për t’u marrë me sport në çdo cep të Shqipërisë”, – ka përfunduar Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani.