Gjergj Vyshka 22.10.2014 16:35
Klean Shuqja vazhdon të shkëlqejë në Kampionatin Evropian të moshave, i cili është duke u zhvilluar në Batum të Gjeorgjisë. Mbrëmë, në turin e tretë të grupmoshës deri në 8 vjeç, ka arritur fitoren e saj të tretë, teksa ka triumfuar ndaj turkes Elif Keskin. Me tre pikë, Shuqja renditet e gjashta mes 63 pjesëmarrësve të kësaj grupmoshe, ndërsa kështu mund të llogaritet dhe si fituese medaljeje. Ndërkohë tek djemtë, Timoleo Miço ka gjetur fitoren e tij të parë në raundin e tretë tek grupmosha deri në 16 vjeç.
Ai ka mundur gjeorgjianin Levan Nemsadze. Dhe me 1 pikë në tre raunde është në vendin e 68-të mes 89 pjesëmarrësve. E gjithë pjesa tjetër e kuqezinjve është mundur përsëri. Kështu për Nën-18-vjeç për djem, Tedi Shpati është mundur nga azerbajxhanasi Elvin Bairamov. Ai renditet i 63-ti mes 64 pjesëmarrësve në këtë Evropian. Sakaq për Nën-14-vjeç, Devid Spiru është mundur fillimisht nga norvegjezi Olav Eivind Risting dhe më pas nga azerbajxhanasi Andrei Mustafin. Dhe për rrjedhojë me vetëm zero pikë në ture raunde është i 98-ti mes 99 pjesëmarrësve.
Po kështu, tashmë për grupmoshën Nën-12-vjeç djem, Pirro Marko është mundur nga gjeorgjiani Shoda Kodashneli dhe me zero pikë në 3 ture është i 114-ti mes 121 pjesëmarrësve. E fundit që është mundur nga shqiptarët pjesëmarrës në Evropianin e Batumit është Suzana Kërçiku, e cila në grupmoshën deri 16 vjeç për vajzat, ka humbur në përballjen me gjeorgjianen Tamar Pashkuridze. Dhe për fat të keq mbyll renditjen e 67 konkurrenteve në këtë grup. Kësisoj Klean Shuqja, jo vetëm që vazhdon të shkëlqejë, por mund të jetë një mundësi e mirë për një tjetër medalje në Evropian.
Sepse renditet e 6-ta pas 3 turesh.