AlbanianSport.com 13.02.2016 21:20
ASNN – Shumë shpejt Shkodra do të ketë një stadium modern, por edhe Kombëtarja një tjetër shtëpi për të zhvilluar ndeshjet e saj. Punimet në “Loro Boriçi” janë duke u zhvilluar me ritme shumë të larta dhe stadiumi i rindërtuar duket se ka marrë formë.
Punimet për rindërtimin e Stadiumit “Loro Boriçi” vazhdojnë me intensitet të plotë dhe tashmë ky impiant po merr trajtën e një stadiumi të vërtetë, pasi po punohet në të gjitha drejtimet.
Aktualisht, është duke u punuar për ndërtimin e pjesës mbuluese të tribunës qendrore, e cila është tjetërsuar. Ndërkohë, puna vazhdon paralelisht edhe në tribunat e tjera. Ditët e fundit ka filluar edhe vendosja e stolave në tribunën përkarshi.
Karriget plastike do të kenë ngjyrat e kuqe dhe blu, duke reflektuar ngjyrat tradicionale të Vllaznisë. Nisja e shirave tashmë do të pengojë disi ritmin e punimeve, megjithatë shumë shpejt pritet që ky proces i vendosjes së karrigeve të përfundojë.
Pas stadiumit “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” do të jetë i dyti në Shqipëri që plotëson të gjitha standardet e UEFA-s. Tani, Kombëtarja shqiptare ka dy mundësi zgjedhjeje për t’i luajtur ndeshjet e saj për eliminatoret e Kampionatit Botëror.