Gjergj Vyshka 11.02.2016 17:05
Edhe pse është duke u stërvitur së bashku me Luiza Gegën dhe Eraldo Qeramën, apo dhe Zou Andrikopolunë, Jorgo Mino duket se nuk është më në planet e trajnerit Stërmasi. Që në fakt në Federatën Shqiptare të Atletikës kishte bërë kërkesë vetëm për Eraldo Qeramën si pjesë të kombëtares së Shqipërisë në Ballkaniadën e Sallave të Mbyllura më 27 shkurt në Stamboll.
“Sepse ka objektiva të tjera, – ka sqaruar trajneri i njohur i atletikës shqiptare duke folur nga kompleksi stërvitor i Itenit në Kenia. – Vazhdon stërvitjen e diferencuar dhe nuk do të jetë në Ballkaniadën e Sallave të Mbyllura për të vrapuar, sepse kështu e ka menduar”. Ndërkohë Stërmasi ka treguar edhe formën e dy sportistëve të tjerë që ndodhen atje, Luiza Gegës dhe Eraldo Qeramës.
“Luiza Gega vazhdon të jetë në një formë shumë të mirë dhe shpresojmë e besojmë se do t’i arrijë objektivat që i ka vënë vetes, – ka sqaruar Stërmasi. – Eraldo paraqitet shumë mirë në stërvitje krahasuar me atë që ka qenë kur i është bashkuar grupit. Rekordi dhe thyerja e tij në 800 metra do të ishte gjëja më e mirë për të, sepse ecurinë në stërvitje e ka shumë të mirë”. Të gjithë bashkë kanë hyrë gati-gati në javën e pestë në Iten të Kenias.