AlbanianSport.com 11.02.2016 09:35
ASNN – Skuadra e Tiranës ka fituar Kupën e Shqipërisë për 17-vjeçarët, pasi mundi në finale 4-1 Olimpikun në takimin e zhvilluar dje pasdreke në Stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit. Natyrisht, që ky triumf do të mbetet në histori, pasi bardheblutë e fituan Kupën e Shqipërisë për 17-vjeçarët në edicionin e parë të zhvillimit të saj.
Kryeqytetasit para të rinj mundën 4-1 Olimpikun e Yrshekut, në finalen e luajtur në stadiumin e tyre, “Selman Stërmasi”. Të drejtuar nga trajneri i njohur, Sulejman Mema, bardheblutë nuk e diskutuan fitoren, duke shënuar madje edhe gola të bukur, pavarësisht motit me reshje.
Cake, Topalli, Keta dhe Beshiraj ishin autorët e golave për Tiranën, ndërsa Olimpiku fillimisht u mbajt mirë duke barazuar me Dushkun, por u dorëzua më pas. Disa qindra tifozë tiranas ishin në tribunën kryesore të “Selman Stërmasit” dhe urojnë që suksesi i 17-vjeçarëve të jetë ogur i mbarë edhe që ekipi i parë të nisë të fitojë trofe.
Për të ndjekur finalen, në stadium ishte edhe trajneri i Tiranës së të rriturve, Ilir Daja, shoqëruar nga kapiteni Bulku, si dhe edhe Presidenti i klubit, Refik Halili. Sot, Tirana do të synojë të fitojë një tjetër Kupë të Shqipërisë, atë për 19-vjeçarët, në derbin përballë Partizanit në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.