AlbanianSport.com 10.02.2016 12:20
ASNN – Mbrojtësi: “Do të jetë një garë e fortë për mbijetesën, mes nesh, Vllaznisë dhe Flamurtarit, edhe Tërbuni matematikisht mbetet në garë.” Bylisi është përqendruar totalisht tek përballja që do të luajë me Tiranën në “Selman Stërmasi”, këtë fundjavë, një ndeshje mjaft e vështirë jashtë fushe. Për Bylisin, çdo ndeshje që ka mbetur shihet si finale.
Trajneri Adnand Zildzoviç, është duke punuar shumë me skuadrën e tij, jo vetëm fizikisht e faktikisht, por edhe psikologjikisht, ndërsa kthesa e Bylisit, aktualisht është e dukshme. “Do të jetë një garë e fortë për mbijetesën, do të jemi ne, Vllaznia dhe Flamurtari, – ka thënë futbollisti i ballshiotëve, Juljan Brahja. – Matematikisht edhe Tërbuni është në lojë.”
“Por skuadra pukjane është më e rrezikuari momentalisht, edhe pse më vjen keq se kam luajtur më parë atje, – ka vijuar ai. – Por, unë besoj se Bylisi do të shfaqet një ekip solid dhe do të mbijetojmë, pasi skuadra është ndërtuar për të marrë fitoren në çdo ndeshje, aq më tepër që me trajnerin Zildzoviç, situata është shumë më pozitive dhe optimiste.”
“Në ekip punohet shumë mirë, kushtet janë perfekt dhe konkurrenca që është e domosdoshme në çdo skuadër, mbizotëron edhe këtu. Unë kam luajtur në Kategorinë Superiore, kam përvojë dhe Bylisi gjithmonë ka qenë nga ekipet solide, që i ka shtuar rivalitetin kampionatit”, – ka përfunduar mbrojtësi me eksperiencë i ballshiotëve, Julian Brahja.