Gjergj Vyshka 10.02.2016 11:35
Ndërkombëtari Telo: “Së pari është kthyer versioni i vjetër, jo ai që kishim ndryshuar me ish-sekretarin Tase më 2014-ën, ndërsa nuk ka asnjë këshillim juridik. Për rrjedhojë më duket i pavend”.
Federata Shqiptare e Volejbollit, e gjendur në prag të fazës së dytë të kampionatit të meshkujve, i cili nis të shtunën, u ka dërguar të gjithë gjyqtarëve për të firmosur një kontratë mes palëve.
Një kontratë, e cila sipas ndërkombëtarit Altin Telo, jo vetëm që ka ardhur në mbrëmjen e vonë të së hënës duke u gdhirë e marta (ora e “e-mail”-it shënonte 00:14), por mbi të gjitha ka një afat deri të premten për t’u firmosur.
“Së pari, – thotë Telo, – unë nuk di asnjë Federatë që të ketë kontratë bashkëpunimi, apo mes palëve. E dyta ne kemi pas formuluar një kontratë më 2014-ën me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Volejbollit, Leonard Tase, me disa ndryshime, e cila nuk u firmos dhe mbeti varur.”
“Tashmë ajo kontratë është shfuqizuar edhe është kthyer varianti i vjetër, – ka vijuar gjyqtari. – Një kontratë e njëanshme dhe e pa konsultuar nga ana juridike. Për rrjedhojë do të diskutoj edhe me të gjithë gjyqtarët e tjerë e do të shohim”.