Gjergj Vyshka 10.02.2016 10:50
Jo thjesht se janë gjashtë pikë të marra në dy ndeshje të vështira jashtë fushe, ndaj Tërbunit në Pukë dhe Laçit në fushën kurbinase, por për mënyrën se si ka punuar dhe si vazhdon të punojë, presidenti Halili ka folur me respekt për punën e Ilir Dajës . “Është një trajner, – thotë Halili, – me të cilin ne do të vazhdojmë gjatë dhe nuk do të ketë asnjë mendim për ndërprerje.”
“Unë e kam të gjithë informacionin se si punon Daja me ekipin, për pasionin që e karakterizon, apo dhe për idetë e tij në ndërtimin e Akademisë dhe të moshave, – ka vijuar ai. – Për këto cilësi, ai së shpejti do të ketë një zyrë të përbashkët në klub me drejtorin teknik”. Duke vazhduar më tej, Halili ka shpjeguar dhe pse Tirana nuk ka bërë shumë ndërhyrje në merkaton e dimrit.
“Për ne ishte shumë e rëndësishme të ruanim grupin dhe më pas të bënim ndërhyrje atje ku na duheshin, – ka këmbëngulur kreu i bardhebluve të kryeqytetit. – Jemi sot në vendin e tretë dhe mendojmë se duke qenë më pranë kreut do të kemi mundësinë të kapim dhe Evropën. Skuadra është duke funksionuar mirë dhe rezultatet do të jenë në vazhdimësi”.