AlbanianSport.com 09.02.2016 18:45
ASNN – Nderimet dhe mirënjohja nuk kanë munguar për Alfred Ziajin, ish-futbollist i Flamurtarit në 3-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. FSHF-ja dhe Bashkia e Vlorës i kanë dhënë tituj të veçantë kësaj figure të shquar sportive. Ndërsa është zhvilluar edhe turneu i futbollit të sallës për Kupën “Alfred Ziaj”. Fitues i këtij trofeu u shpall KS “Ali Demi” i Tiranës.
“Tre vjet pa Alfred Ziajin” dhe kupa në nder të tij kanë qenë aktivitetet e radhës i organizuar Bashkia e Qytetit të Vlorës dhe Shoqata Sportive e Minifutbollit Shqiptar. Me anë të një dokumentari të përgatitur nga gazetari i Radio-Televizionit Shqiptar, Dëfrim Methasani, mes emocionesh, të pranishmit kanë kujtuar edhe njëherë çaste nga jeta tij si futbollist.
Federata Shqiptare e Futbollit i ka dhënë titullin “Mirënjohje” Alfred Ziajit, ndërsa Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Vlorës, Vojsava Shkurtaj, e ka shpallur “Qytetar Nderi”. Më pas në pallatin e sportit “Flamurtari” është zhvilluar finalja e trofeut “Alfred Ziaji” midis dy skuadrave Flamurtari dhe KS Ali Demi të Tiranës.
Pas një loje mjaft të mirë fituese e trofeut bëhet skuadra kryeqytetase, që mundi Flamurtarin me rezultatin 6-3. Golshënuesi më i mirë i turneut është shpallur Mario Moçka i Titans të Tiranës. Trofeun skuadrës fituese të trofeut ia ka dorëzuar presidenti i shoqatës sportive të minifutbollit, Klodian Kadiu.