AlbanianSport.com 09.02.2016 12:05
ASNN – Pavarsisht fërkimeve dhe akuzave shpesh në zë për rrëmbime të lojtarëve të tjetrës palë, sidomos përsa u përket ekipeve përfaqësuese, marrëdhëniet mes Federatës së Futbollit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë janë përgjithësisht të ngrohta dhe miqësore. Por, pikërisht në këtë atmosferë vjen një lajm paksa i pazakontë, pasi është klubi i Partizanit dhe FSHF që do ta padisin FFK-në në FIFA.
Klubi i kryeqytetit të Shqipërisë, bashkë me FSHF-në, kanë vendosur të hedhin në gjyq FFK-në dhe klubin e Dritës për shkak të mesfushorit të gjilanasve, Ylber Ramadanit, i cili ende nuk mund të luajë me Partizanin, pas kalimit në futbollin shqiptar muajin e kaluar. Kështu ka bërë të ditur sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, në emisionin e së dielës, “Arena” në “Tribuna Channel”.
I pranishëm në këtë emision ishte edhe menaxheri i mirënjohur, Nexhmedin Haxhiu, i cili kishte ndërmjetësuar kalimit e Ramadanit te Partizani. Lojtari nuk ka debutuar ende, pasi Drita po kërkon dëmshpërblim. Salihu tha se të hënën pritet të mbajnë një takim me Partizanin dhe FSHF-n për këtë çështje, ndërsa sqaroi edhe një herë se cilët lojtarë mund të largohen nga klubet e tyre gjatë afatit kalimtar të dimrit dhe cilët jo.