AlbanianSport.com 07.02.2016 17:35
ASNN – Trajneri Ferko: “Shefi i klubit kërkon që këtë sport ta bëjnë qytetarët, sepse neve na konsideron “katundarë”, edhe pse me këtë sport kemi lidhur jetën tonë”. Ndërkohë që janë vënë në dijeni si presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, ashtu dhe sekretari i përgjithshëm Ndriçim Spahiu, sepse ka të ngjarë që mundja në Fier të mos ekzistojë më.
“Le të bëjmë të qartë dhe të kuptojmë se kush nuk e do mundjen në Fier dhe përse nuk e duan, – ka deklaruar trajneri i Apolonisë, Ardian Ferko. – Të premten me urdhër të drejtorit të klubit unë si trajner dhe ekipi është pezulluar. Kjo, sepse shumica janë nga fshati dhe në klub e duan mundjen me qytetarë. Në Asamblenë vjetore të Federatës nga shefi ynë, Astrit Mukaj, ka ardhur një mandat u dytë që nuk u lejua.”
“Pretendimi i tij është se ekipi i mundjes është i përbërë me fshatarë dhe ai e do me djem nga qyteti, – ka vijuar ai. – Ne nuk jemi kundër kësaj, por kur unë e kam pyetur se ti ke një djalë 13 vjeç a e sjell në mundje? Më tha jo. E kur unë i kërkova se përse nuk vjen të shohësh se në ç’kushte bëjmë ne stërvitje. Më tha “pse do vij të shoh unë se çfarë bëjnë fshatarët…”.
E menjëherë i kam kthyer përgjigje se ky është racizëm. Por në dialog e sipër më ka thënë ky është urdhri im”, shpjegon pikësëpari Ferko. Duket si një lojë “më the, të thash…”. Duket se në Fier edhe mundja po pëson fatin e basketbollit të femra, sepse Ferko pranon: “Kam dhjetë vjet që nuk kam asnjë investim nga Bashkia e Fierit dhe nuk kemi marrë asgjë”.