AlbanianSport.com 07.02.2016 14:35
ASNN – Tek Apolonia e shumësportëshit duket se absurditetet janë radhë pas radhe. Sepse pasi është shkrirë basketbolli i femrave, tashmë viza i është vënë edhe mundjes. Dhe këtë e ka bërë të ditur trajneri i Apolonisë, Ardian Ferko, që sipas tij nga shefi i klubit shumësportësh në Fier, Astrit Mukaj, po kërkohet që këtë sport ta bëjnë “qytetarët”.
Sipas tij gjithçka ka nisur që nga asambleja vjetore e Federatës Shqiptare të Mundjes, më 30 janar, atje ku ka pasur edhe një të mandatuar të dytë nga Apolonia, por që nuk u pranua në Asamble. Por duket se në Fier edhe mundja po pëson fatin e basketbollit të femra, sepse Ferko pranon: “Kam dhjetë vjet që nuk kam asnjë investim nga Bashkia e Fierit dhe nuk kemi marrë asgjë”.
“Kurse tani nuk na lënë të vazhdojmë, – ka vijuar ai. – Lamë dhe një takim me shefin e klubit së bashku me ekipin e të rinjve dhe të rriturve, por nuk erdhi. E megjithatë më kërkoi që në ora tre pasdite të së premtes të ishim së bashku me ekipin në një sallë derrash me katër faqet e murit dhe që nuk ka asgjë. Vajtëm, por jo vetëm që nuk erdhi, por kur e mora në telefon më tha që je i pezulluar ti dhe ekipi. E ky është diskriminim.”