AlbanianSport.com 06.02.2016 21:40
ASNN – Shënojnë sulmuesit shqiptarë, Cikalleshi 2 gola në Turqi, Sadiku dy të tjerë në Zvicër. Sokol Cikalleshi ishte në një formë të jashtëzakonshme në barazimin 3-3 të Bashakshehirit në fushën e Bursasporit. Sulmuesi shqiptar hyri në lojë në fillimin e pjesës së dytë, duke shënuar dy gola, që e shpëtuan skuadrën nga Stambolli nga një humbje në kampionat.
I parë ishte një “roveshatë” që e la të bafasuar portierin e kundërshtar, ndërsa i dyti një goditje në hyrje të zonës. Cikalleshi u rikthye te goli në kampionat pas më shumë se 2 muajsh. Kjo nuk ka ndodhur në Kupën e Turqisë ku ka shënuar 7 gola, ndërsa në total këtë sezon janë 12. Sokol Cikalleshi mund të rifitojë një vend si titullar me formën që po kalon.
Një debutim i shkëlqyer edhe për sulmuesin tjetër të Kombëtares, Armando Sadiku. Ai shënoi 2 herë dhe dha edhe 2 pasime për gol në fitoren 5-2 të Vaduzit në fushën e Luganos. Falë Sadikut, skuadra nga Lihtenshetjni, por që merr pjesë në Superligën e Zvicrës, fitoi ndeshjen e parë pas shumë kohësh në kampionat. Ky sukses bëri që të largohet nga vendi fundit në renditje, duke shtuar shpresat për mbijetsë. Armando Sadiku erdhi në huazim nga FC Zyrihu.