AlbanianSport.com 06.02.2016 18:00
ASNN – Organizmi që qeveris futbollin në Shqipëri, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka shtyrë fillimin e gjysmës së dytë të Kategorisë së Parë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, për shkak të mosshlyerjes së borxheve të klubeve.
Kështu, FSHF ka shtyrë deri në një datë të papërcaktuar fillimin e Kategorisë së Parë, që ishte parashikuar për të nisur këtë të shtunë. Shkak për këtë vendim të Komitetit Ekzekutiv është bërë mosshlyerja e detyrimeve financiare nga disa klube të kësaj kategorie.
Në një deklaratë për shtyp, Federata e Futbollit paralajmëron me përjashtim nga aktiviteti klubet, të cilat nuk do të shlyejnë detyrimet deri në datën 12 shkurt. Ja dhe deklarata e shkurtër për shtyp e FSHF-së:
“Federata Shqiptare e Futbollit ju ben me dije se me vendim qarkullues te Komitetit Ekzekutiv , Kategoria e Parë e Kampionatit Kombëtar të Futbollit, e planifikuar të rifillojë të shtunën, datë 6 shkurt 2016 të mos zhvillohet në datën e caktuar, për shkak se klubet nuk kane shlyer te gjitha detyrimet financiare te prapambetura te njohura nga rregulloret e FSHF-së.
Klubet e futbollit kane afat deri në datë 12 shkurt për t’i shlyer këto detyrime dhe, në rast të kundërt do të jene pjesë e shqyrtimit në Komisionet Juridike të FSHF-së, duke rrezikuar përjashtimin nga aktiviteti futbollistik.”