Gjergj Vyshka 05.02.2016 17:05
Hendbolli shqiptar, që ka për president Nesim Jahollarin dhe Sekretar të Përgjithshëm Armand Çakallin, duket se është me projekte të reja për ngritjen e nivelit të këtij sporti në vendin tonë.
Të paktën sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Hendbollit, Armand Çakalli, tashmë është konfirmuar pjesëmarrja e Shqipërisë për të reja në Kampionatin Evropian të Nën-19-vjeçarëve, që zhvillohet nga data 8, deri më 13 mars në Gjeorgji.
Jo vetëm kaq, por Çakalli është bërë gati për firmosjen e marrëveshjes me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për hapjen e hendbollit nëpër shkolla, e cila do të ndihmohet dhe nga projekti i përbashkët me Federatën Evropiane.
“Por unë sot do të kem një takim me shefin e Klubit Shumësportësh “Studenti”, Blendi Nallbani, për ngritjen e këtij ekip. Mendoj se jemi mirë dhe në rrugën e duhur për momentin”, – ka përfunduar Çakalli për “Sport Ekspres”.