AlbanianSport.com 05.02.2016 14:35
ASNN – Trajneri Samuel Nikaj: “Do të mundohem të vazhdoj punën e parardhësit tim dhe të ruajmë pozicionin e kryesuesit deri në fund. Ngjitja në Superiore, një objektiv mëse i arritshëm.” Kreu i ri i stolit të lezhjanëve, Samuel Nikaj, është mjaft i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, pavarësisht se ka vetëm 10 ditë në këtë detyrë. Këtë, ai e konfirmoi gjatë një bisede për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”. “Kam vetëm 10 ditë që jam vënë në krye të Besëlidhjes për ta drejtuar teknikisht dhe deri tani jam mjaft i kënaqur me paraqitjen e skuadrës”, – ka thënë ai.
“Deri tani, nën drejtimin tim, janë luajtur dy miqësore në fushë të huaj, – ka vijuar trajneri lezhjan. – Kemi fituar ndaj Besës, 3-0, si dhe barazuam në Fier, 0-0. Duke e ditur se Besëlidhja ka një objektiv serioz, që është ngjitja në Kategorinë Superiore, atëherë i jemi përveshur punës. Objektivi që kemi është mëse i realizueshëm, sidomos tani që kryesojmë grupin. Përforcimet e ardhura nga merkato e janarit kanë qenë të bollshme, ndërsa e kam gjetur gati në përfundim. I fundit që ka ardhur ishte sulmuesi shkodran, Elis Kabuni.”
“Për ndërtimin e kësaj skuadre padyshim është kontributi i paraardhësit tim, Kreshnik Krepit, – ka pohuar trajneri shkodran i Besëlidhjes. – Ndaj unë do të vijoj këtë punë, por me stilin tim. Tashmë është mbyllur faza përgatitore dhe stërvitjen e kemi profilizuar në funksion të ndeshjes së radhës, asaj që do ta luajmë në fushë të huaj në Mamurras ndaj vendasve. Një ndeshje që po e vlerësojmë aq sa i takon kundërshtarit. Ngjitja në krye të grupit pas penalizimit të Kastriotit ne na motivon për të punuar fort dhe për të ruajtur këtë pozicion deri në fund të sezonit”.