AlbanianSport.com 05.02.2016 09:35
ASNN – Edmilson Karmo Dos Santos Junior, 28-vjeçari, ish-futbollist i Santosit e Atletiko Mineiro firmos te ballshiotët që “blindojnë” ofensivën. Edmilson Karmo Dos Santos Zhunior është braziliani që përforcon së fundmi Bylisin në këtë merkaton janari. Sulmuesi është federuar dhe shton kështu forcën goditëse në skuadrën e trajnerit Adnand Zildzoviç.
Braziliani 28-vjeçar luan pas sulmuesve, por edhe si sulmues i parë dhe është një futbollist me përvojë, i cili u bën jo pak punë ballshiotëve që kanë vuajtur në vijën e parë në gjysmën e parë të garës. Edmilson ka rreth një javë te Bylisi dhe ka lënë mbresa pozitive jo vetëm në stërvitje dhe ndeshjet brenda grupit, por edhe në takimet miqësore.
Ai ka spikatur sidomos në testin me Hajvalinë. Ballshiotët humbën 2-1, ndërsa autori i golit për Bylisin ishte pikërisht 28-vjeçari amerikano-jugor. Edmilson është përshtatur mjaft mirë me pjesën tjetër të skuadrës dhe pritet shumë prej tij duke qenë se është një sulmues me vlerë dhe kualitet.