AlbanianSport.com 04.02.2016 17:35
ASNN – Pas ndëshkimit të Flamurtarit, Dinamos dhe Kastriotit, rrezikojnë heqje pikësh edhe Tirana dhe Bylisi. Konfirmimi vjen nga shefi i sektorit të garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Lysien Nurishmi, i cili, duke folur për AlbanianSport.com, e vë theksin tek mungesat serioze në punën dhe funksionimin e klubeve të futbollit. Sipas tij, ndëshkimi i klubeve shqiptare të futbollit për mospërmbushje të kontratave nga ana e FIFA-s vjen si rrjedhojë e mungesave serioze në punën dhe funksionimin e këtyre organizmave sportivë.
“Natyrisht që nuk na vjen mirë nga ky fakt, sepse klubet janë në të njëjtën kohë anëtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe prandaj nuk na vjen mirë, kur merren vendime të tilla, – ka deklaruar ai, duke folur për AlbanianSport.com. – Normalisht, këto vendime negative në dëm të klubeve tona, vijnë sepse vetë klubet kanë mangësi sa i përket stafit administrativ. Pra, nuk kanë një jurist të veçantë përsa u përket kontratave dhe ndjekjes së çështjeve kur lojtarët largohen nga ekipi pa mbyllur detyrimet financiare. Pra, kemi rastin një klub e largon një lojtar pa i përmbushur detyrimet financiare kundrejt tij.”
“Natyrshëm, lojtarët kanë të drejtën e tyre të ankohen në organet përkatëse në FIFA dhe, më pas, kur kjo e fundit i njofton klubet për të ndjekur çështjen, ato nuk kanë mundësinë për t’i ndjekur, ose më saktë, kanë mungesën e korrespondencës me FIFA-n për t’i dërguar materialet e kërkuara dhe për të vërtetuar të kundërtën, – ka sqaruar zyrtari i FSHF-së. – Dhe, afërmendsh, FIFA në këto raste merr vendime negative.” Për këtë arsye, shefi i sektorit të garave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Lysien Nurishmi, ka edhe një apel për klubet.
“Prandaj, klubet shqiptare duhet ta marrin seriozisht çdo faks apo “e-mail” që u vjen nga FIFA, – ka theksuar Shefi i Sektorit të Garave. – Federata Shqiptare e Futbollit gjithmonë i ka ndihmuar klubet, duke i njoftuar ato, duke u dhënë edhe shpjegime, duke u ofruar madje edhe konsulencë juridike, edhe pse këtë të fundit nuk e kemi për detyrë. Sidoqoftë, ne u kemi qëndruar gjithmonë pranë dhe përfitoj nga rasti t’u bëj edhe një herë thirrje klubeve që ta marrin seriozisht në konsideratë sugjerimin që të kenë në stafet e tyre një zyrtar që të ndjekë anën juridike.
“Ai do të ndjekë dhe të gjithë aspektin ligjor sa i përket vetë klubit, marrëdhënies së klubit me FIFA-n dhe marrëdhëniet klub-lojtar, sidomos me ata të huajt”, – shtoi ai. Sipas tij, çështja e zgjidhjes së kontratave midis futbollistëve është në varësi të zgjedhjes së lojtarëve. “Në Federatë ne kemi Dhomën tonë të Zgjidhjes së Konfikteve dhe, përtej faktit sesa janë bërë publike, numri i rasteve që ne kemi zgjidhur mosmarrëveshjet midis klubeve dhe trajnerëve apo lojtarëve, nuk ka qenë i vogël, por i konsiderueshëm”, – ka zbuluar Nurishmi.
“Megjithatë, nuk ka asnjë dispozitë ligjore apo disiplinore që të përcaktojë nëse një mosmarrëveshje midis palëve duhet të zgjidhet domosdoshmërisht brenda DHZK-së së Federatës Shqiptare të Futbollit para se të shkojë në FIFA, – ka vijuar ai. – Zakonisht, lojtarët apo trajnerët shqiptarë, por edhe të huaj, e kanë gjetur gjuhën e mirëkuptimit brenda DHZK-së sonë, pa patur nevojë të shkohet në FIFA. Por ka patur nga ata futbollistë, kryesisht të huaj, që kanë zgjedhur të shkojnë direkt në FIFA dhe kjo është zgjedhje e tyre.”