AlbanianSport.com 04.02.2016 16:05
ASNN – Kombëtarja shqiptare ka ngjitur dy shkallë në renditjen botërore të FIFA-s për këtë muaj. Organizmi që qeveris futbollin botëror ka publikuar renditjen e re për muajin shkurt dhe ekipi kuqezi ka fituar 2 vende. Kuqezinjtë renditen tashmë në vendin e 36-të, duke rikuperuar disi rënien e lirë që kishin filluar në 2 muajt e fundit.
Sa i përket kundërshtarëve te Kombëtares në “Euro 2016”, Zvicra mbetet e 12-ta, Rumania mbetet në vendin e 16-të, ndërsa Franca ka rikuperuar një vend, duke u ngjitur në të 24-tin. Kurse 10 vendet e para të renditjes botërore kanë mbetur të pandryshuara, teksa në krye vijon të mbetet Belgjika, e ndjekur nga Argjentina.
Kështu, edhe pse pa zhvilluar asnjë ndeshje, skuadra kuqezi e Xhovani De Biazit e sheh veten në vendin e 36-të në këtë klasifikim të organizmit që qeveris futbollin botëror, në kuotën e 746 pikëve. Skuadra shqiptare këtë radhë u favorizua në fitimin e këtyre pozicioneve nga humbjet e pikëve të disa skuadrave të tjera, që një muaj më parë ndodheshin sipër saj.
Përsa u përket kryesuesve, edhe këtë muaj nuk ka asnjë ndryshim. Belgjika vazhdon që të ruajë vendin e parë me 1,494 pikë, e ndjekur nga Argjentina në vendin e dytë dhe Spanja në të tretin. Klasifikimi vijon me skuadrën kampione të botës, Gjermaninë në vendin e katërt dhe Kilin në të pestin.
Austria, me të cilën kombëtarja jonë do të luajë miqësore në 26 mars është në vendin e 10-të në klasifikimin e FIFA-s, duke lënë disa pozicione pas vetes skuadra të tilla si Holanda dhe Italia, që gjenden përkatësisht në vendin e 14-të dhe të 15-të.