AlbanianSport.com 04.02.2016 13:50
ASNN – Portieri i Burrelit, Andi Xhixha, thotë se vendosi të rikthehej te skuadra matjane pasi nuk mund të refuzonte ftesën e administratorit të Klubit të Futbolli “Burreli”, Kastriot Rama. Ai shprehet se Rama njihet si një specialist i mirë i përgatitjes së portierëve. Xhixha mendon se duke u stërvitur nën kujdesin e Kastriot Ramës mund të aftësohet më shumë dhe të ngjitet më lart në karrierën e tij sportive.
Ashtu si drejtuesit e ekipit dhe futbollistët e Burrelit, edhe portieri Xhixha gjykon se me blerjet e fundit ekipi është më mirë se sa gjatë vitit të kaluar. Argumenti i tij është se në dy ndeshjet miqësore Burreli ka treguar epërsi dhe vlera si një ekip që do t’u rezistojë “dallgëve” të Kategorisë së Parë. Duke folur për përgjegjësinë e tij, Xhixha thekson se në dy miqësoret e luajtura me Ilirinë dhe Shënkollin ai nuk ka pësuar gol.
Kjo tregon, sipas tij, se repartet e skuadrës matjane funksionojnë mirë. Andi Xhixha thotë se e gjithë vëmendja e matjanëve është fokusuar te ndeshja e të shtunës me Korabin e Peshkopisë. “Gardiani” i portës së Burrelit është më i qartë se kolegët kur thotë se matjanët në këtë përballje kanë si opsion të vetëm, atë të fitores ndaj dibranëve.
Duke përfunduar prononcimin e tij, Xhixha pohon se nuk mund të mendohet rënia e Burrelit nga kategoria. “Çdo lojtar që vesh fanellën e kësaj skuadre duhet të japi kontributin e tij në lartësimin e emrit të Burrelit”, – përfundon ai.