ASNN – Në mbyllje të bashkëbisedimit me kryetaren e Bashkisë Shkodër, zonjën Voltana Ademi, kishte vend edhe për ndeshjen e radhës, atë që do të luhet këtë fundjavë, ditën e diel në ora 17:00 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit përballë skuadrës vendëse Teuta. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse Teuta ka bërë një prezantim shumë të mirë në gjysmën e parë të sezonit”, – ka pohuar ajo.
“Jam informuar se ka humbur në javën e parë të kampionatit me Flamurtarin dhe kjo ndoshta e bën edhe më të vështirë ndeshjen për ekipin tonë, – ka vijuar kryebashkiakja shkodrane. – Por duhet të bëjmë të pamundurën për të marrë një rezultat pozitiv dhe për këtë kam besim të plotë tek skuadra se do të luajë shumë e mobilizuar për të arritur një gjë të tillë.”
Më tej, Ademi jep dhe mesazhin e saj: “Nuk duhet të jemi euforik, jemi vetëm në fillim të kthesës së shumë pritur, prandaj duhet të punojmë shumë dhe me seriozitet që të arrijmë të mbajmë ritmin e duhur. Nuk është e lehtë deri në fund e ndeshjet janë të vështira. Kam besim tek trajneri dhe tek gjithë stafi teknik. Kur punon, përmirësimi ndihet më fort. Në Shkodër, të luash futboll është emocion më vete”.