AlbanianSport.com 03.02.2016 14:35
ASNN – Sikundër ishte njoftuar gjatë ceremonisë së prezantimit të fanellave të reja të Kombëtares, më 26 mars 2016, Shqipëria do të zhvillojë një ndeshje miqësore me një tjetër përfaqësuese pjesëmarrëse në Evropianin e verës.
Dhe tashmë kjo kundërshtare është zyrtarizuar dhe ajo është Austria, ndërsa ndeshja e 26 marsit do të luhet në mbrëmje në Stadiumin “Ernst Hapel” të Vjenës, duke nisur nga ora 17:30.
Në fakt, organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, para paracaktuar datat 26 dhe 29 mars si data të lira që ekipet përfaqësuese evropiane të zhvillojnë ndeshje miqësore në përgatitje për “Francë 2016”.
Ndërkohë, sa i përket datës 29 mars Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk ka gjetur kundërshtar, por presidenti Armando Duka ka deklaruar se, ndryshe nga miqësorja e 26 marsit, që do të luhet jashtë, ajo e 3 ditëve më pak do të luhet në Shqipëri.
Kombëtarja shqiptare është kualifikuar, për herë të parë në histori, për në fazën finale të një veprimtarie madhore futbollistike, siç është Evropiani i këtij viti, që do të mbahet në Francë.