AlbanianSport.com 03.02.2016 12:55
ASNN – Volejbollistja shqiptare Arjola Prenga do të jetë pjesë e ekipit kosovar të Dritës në pjesën e mbetur të sezonit sportiv 2015-2016. Lajmin e ka konfirmuar për AlbanianSport.com vetë lojtarja shqiptare, si dhe drejtuesit e klubit kosovar, që kanë bërë me dije se kanë arritur një marrëveshje me një nga volejbollistet më të mira shqiptare të viteve të fundit.
Arjola Prenga do t’i bashkohet dy motrave të saj Amarilda dhe Adelajda Prenga, që gjithashtu luajnë me ekipin kosovar të Dritës. Klubi kosovar Drita bën me dije se ka bërë kërkesën pranë CEV dhe FIVB për të marrë Arjola Prengën deri në fund të këtij sezoni. Ajo është një volejbolliste me shumë përvojë, duke triumfuar kudo që ka luajtur, në Shqipëri, Amerikë, Spanjë, Francë dhe së fundi prej tri sezonesh në Norvegji.
Tashmë të tri motrat Prenga do të kenë mundësi të luajnë së bashku te skuadra e Dritës në Kosovë, e cila pak kohë më parë fitoi Kupën e Federatës. Ardhja e Arjolës e bën këtë skuadër pretendenten kryesore edhe për fitimin e titullit “kampion”. Ndërsa vetë qenia në të njëjtën skuadër e 3 motrave është diçka e rrallë dhe jo vetëm në sportin shqiptar.