AlbanianSport.com 21.10.2014 13:25
ASNN – Luftëtari ka hipotekuar një tjetër humbje, këtë radhë në Berat, atje ku është mundur nga Tomori vendës, 1-3. Është menduar që pas dy humbjeve shtëpiake, me Dinamon dhe Sopotin, Luftëtari do të ndryshonte.
Madje është menduar që me të gjitha përforcimet e bëra në tregun e lëvizjeve të lojtarëve në verë, skuadra gjirokastrite do të ishte një pretendente e padiskutueshme për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore.
Mirëpo faktet e deritanishme tregojnë se kjo skuadër nuk është kaq e fuqishme sa dhe ç’duket, apo dhe ç’përflitet nga vetë drejtuesit e saj. Një shprehje e urtë popullore thotë “mos i shiko gunën, por shihi punë”.
Kështu është katandisur Luftëtari, një skuadër që në deklarata gazetash është për në Kategorinë Superiore, kurse në fushë është grup lojtarësh, të cilët të tjerët i kalojnë si të ishin piketa.
Dhe në fakt gjirokastritëve nuk u bëjnë përshtypje tre humbjet, por në vetvete janë optimistë se do të dalin shpejt nga kjo situatë. Në klubin e Luftëtarit është bërë dhe një analizë për humbjen në Berat, e cila ka nxjerrë në pah dhe dobësitë.