AlbanianSport.com 02.02.2016 15:25
ASNN – Qitja në Berat është një sport që është zhdukur prej tre vjetësh, ndërsa Bashkia asokohe poligonin ia dha pronarëve të tokës. Por dhe pse ka ndodhur kështu, poligoni është në vend, i gatshëm për stërvitje. Veçse tanimë nuk ka sportistë që ta ushtrojnë atë. Dhe ky është paradoks, sepse Tomori ka një histori në qitjen shqiptare që me Niko Fanin, i cili në ushtrimin 1×60 në pushkë ka hyrë në historinë botërore. Qitja i ka dhënë shumë kampion Beratit dhe Tomorit, por tashmë nuk ekziston më. Poligoni i qitjes është, ndërsa nuk ka ekip.
E tashmë është një problem i mprehtë që duhet zgjidhur sepse dhënia e poligonit pronarëve ka ndezur indinjatën e ish-sportistëve ndaj ish-drejtuesve më të lartë të Bashkisë Berat dhe të shumësportëshit “Tomori”. Sepse janë fajtore të dy palët që morën pjesë në këtë inskenim të rëndë, i cili dëmtoi dhe zhduku krejtësisht qitjen e Tomorit. Ka mjaftuar një vendim i Këshillit Bashkiak të asaj kohe që poligoni më i madh në vend, i ndërtuar në vitin 1973, t’u kthehej pronarëve të tokës. Një poligon që ka qenë më moderni në Ballkan, pasi në të zhvilloheshin një sërë veprimtarish kombëtare të qitjes.
Ky fenomen asokohe është trajtuar dhe në Sport Ekspres dhe denoncuar fort, ndërsa komuniteti i qitjes beratase me shumë të drejtë kërkoi llogari ish-drejtuesve të Bashkisë se përse duhej të prishej poligoni. Në atë kohë ekipi i djemve dhe i vajzave kërkoi që t’i jepej një mjedis në stadiumin “Tomori” që të stërviteshin të paktën në disiplinën e armëve të ajrit. Por gjithçka ra në vesh të shurdhët dhe kështu që sporti më rezultativ në Berat u shua. Qitja në Berat ka nisur në vitin 1954 dhe kulmin e saj e ka pasur në vitet 1970-1990.
Veç titujve “kampion kombëtar” në të gjitha nivelet e moshave, dallonin edhe ato të fituara nëpër Ballkaniada. Sepse qitësit beratas kanë dalë “kampion” dhe nënkampion Ballkani, atje ku një shumicë e tyre kanë qenë pjesë e kombëtares që drejtohet nga Vangjel Shkurti. E bashkë me ta ka qenë edhe Ali Mata e Rexhë Ndreu, ndërsa të gjithë së bashku lartësuan këtë sport në arenën ndërkombëtare. Është e vetmja disiplinë sportive në Berat që ka tre Mjeshtra të Merituar të Sportit dhe 12 Mjeshtra Sporti. E Berati krenohej me këtë sport.
Mirëpo tanimë që prej tre vjeshtë, atëherë kur poligoni që mban emrin e një figure të madhe si Vangjel Shkurti iu kthye pronarëve, qitja nuk ekziston. E ky është turpi i Beratit…