Gjergj Vyshka 02.02.2016 14:35
Presidenti i Federatës Botërore të Atletikës, Sebastian Koe, takimin e parë zyrtar e ka pasur dje në mesditë në kryeministri, atje ku është pritur nga i pari i qeverisë, Edi Rama. Sipas të pranishmëve në këtë takim, Rama ka premtuar një infrastrukturë ndryshe për atletikën shqiptare.
Që do të thotë se stadiumi “Selman Stërmasi”, por dhe “Loro Boriçi” në Shkodër do të jenë me pistë tartani. Pa thënë që me pistë tartani do të jetë edhe parku olimpik, i cili është në ndërtim e sipër në ish-kompleksin Dinamo. Por mbi të gjitha një shtysë nga qeveria do të ketë edhe projekti për atletikën në shkolla.
Ndërkohë që dje pasdite, Koe është pritur dhe nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani. Ky i fundit ka treguar se janë projekte që e kanë mbështetur atletikën shqiptare. Tashmë Koe do të largohet, ndërsa ka marrë një sërë premtimesh.
Por ajo që ngelet si çengel është kërkesa e Koes: “Pistat e prishura na i ktheni në një tjetër vend për t’i ndërtuar përsëri”.