Gjergj Vyshka 21.10.2014 11:35
Dinamo nuk ka më interes për Kupën e Shqipërisë. Nisur kjo dhe nga rezultati i ballafaqimit të parë, teksa Apolonia ka fituar në kryeqytet, 4-0. Dhe duke i vënë vëmendje kampionatit, teksa në fundjavë do të luhet përballë Lushnjës në “Selman Stërmasi”, atëherë Mehmeti ka vendosur që të luajë me të rinjtë, apo me ato që janë aktivizuar më pak.
“Kurse pjesa tjetër e titullarëve, që do të jenë për ndeshjen ndaj Lushnjës, paraditen e së mërkurës do të bëjnë stërvitje në fushën me bar artificial”, – ka thënë Mehmeti. Ndërkaq, në Cërrik, të paktën edhe sipas kryetifozit të bluve, Met Nallbani, Dinamo ka pasur jo vetëm tifozët e saj të përhershëm, por dhe një grup tifozësh që kanë qenë të qytetit të vogël, i cili prej javësh mirëpret Sopotin si vendës.
“Ishte një grup tifozësh nga Cërriku. Madje kohë më parë në Elbasan njërit i kam dhënë dhe një flamur të Dinamos dhe të gjithë bashkë u bëmë gati 30 veta në mbështetje të skuadrës. Unë i falënderoj tifozët e Cërrikut për mbështetjen e Dinamos, pavarësisht se në fund nuk arritëm ta merrnim dot fitoren. Skuadra luajti dhe për atë që dha në fushë, përtej ndonjë gabimi, ishte mirë”, – ka përfunduar Nallbani.