AlbanianSport.com 31.01.2016 21:15
ASNN – Është mbyllur sot java e 19-të dhe e para e gjysmës së dytë të sezonit dhe Kukësi dhe Flamurtari e nisin me këmbë të mbarë fazën e tretë të Kategorisë Superiore. Verilindorët e drejtuar nga trajneri Klodian Duro mposhtën 3-0 Bylisin dhe falë humbjes së Teutës ngjiten sërish në vendin e 4-t.
Izair Eminit, i afruar vetëm gjatë merkatos së janarit, ishte njeriu i ndeshjes, duke shënuar dy golat e parë të takimit për ekipin e drejtuar nga trajneri Klodjan Duro, në minutën e 23-të dhe atë të 55-të. Goli i tretë, që e mbylli përfundimisht ndeshjen, u shënua nga Dvornekoviçi në minutën e 78-të.
Skuadrave fituese të javës së 19-të u është bashkuar edhe Flamurtari, i cili mundi 1-0 Teutën. Goli i Grecës në pjesën e dytë i jep mundësinë Flamurtarit të shkëputet nga fundi i tabelës dhe njëkohësisht i dhuron trajnerit Zekerija Ramadani fitoren e parë si trajner i skuadrës vlonjate.
Ndërkohë, kryesuesja e renditjes së Kategorisë Superiore, Skënderbeu, është mundur të shtunën pasdreke minimalisht në fushë të huaj nga Vllaznia vendase, në takimin e zhvilluar në Shkodër dhe që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Po pasdreke, Tirana ka fituar 3-1 në Pukë ndaj Tërbunit, ndërsa në mbrëmje, Partizani ka fituar 2-0 në kryeqytet ndaj Laçit.
Renditjen e Kategorisë Superiore e kryeson Skënderbeu dhe Partizani, me nga 43 pikë, ndërsa Tirana mban vendin e 3-të, me 32 pikë, e ndjekur nga Kukësi me 31 dhe Teuta, me 30.