AlbanianSport.com 31.01.2016 15:25
ASNN – Të hënën do të vijë në Tiranë, Presidenti i ri i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF), Lordi Sebastian Koe. Ai pritet të takohet me zyrtarë të lartë shqiptarë, përfshi edhe Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. Funksionari i lartë i atletikës botërore pritet të vijë me projekte konkrete për zhvillimin e atletikës shqiptare dhe programe për nxitjen, nëpërmjet sportit në shkollë, të jetesës së shëndetshme.
Sikundër ishte njoftuar, të hënën do ta vizitojë Shqipërinë njëri prej figurave më të larta të sportit botëror. Bëhet fjalë për presidentin e ri të Federatës Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF), Lordin Sebastian Koe. Një gjë të tillë e ka konfirmuar ekskluzivisht për AlbanianSport.com Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli, i cili ka sqaruar se tashmë gjithçka është finalizuar sa i përket hollësive e axhendës së vizitës në kryeqytetin shqiptar të ish-sportistit legjendar, tashmë drejtues i “mbretëreshës së sporteve”.
Sipas Rulit, gjatë vizitën në Tiranë, Sebastian Koe pritet të takohen me zyrtarë të lartë shqiptarë, përfshi edhe Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla. Ajo që është e rëndësishme në këtë vizitë, është se funksionari i lartë i atletikës botërore pritet të vijë me projekte konkrete për zhvillimin e atletikës shqiptare dhe programe për nxitjen nëpërmjet sportit në shkollë të jetesës së shëndetshme. Po kështu, theksi i vizitës së kreut të IAAF-it është edhe nevoja e pasisjeve të stadiumeve të reja të futbollit me pistë atletike.