Gjergj Vyshka 31.01.2016 14:35
I vetmi person, në dukje, i paanshëm në takimin e Lozanës të martën e kaluar ka qenë Paulin Sterkaj, ish-mundësi i Besëlidhjes dhe Dinamos, sot deputet i Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë. Sterkaj nisur dhe nga situata ku ndodhet mundja shqiptare sot ka pasur një mesazh për të gjithë, sepse edhe sot e kësaj dite ende vuan për sportin që ka bërë me vite. “Unë nuk kam qenë larg mundjes, – ka thënë ai. – Madje edhe sot e kësaj dite na dhemb ende trupi për shkak të traumave sportive.”
“Mandatet e dyfishta sjellin veç anarki, – ka vijuar Sterkaj. – Isha në Lozanë, por me të thënë të drejtën më vjen turp për problemet që mundja shqiptare ka sot. Me gjëra të pabaza nuk ecet përpara dhe këtu nuk është më faji i politikës, por i individëve që dëmtojnë këtë sport. Hajde të bashkëpunojmë për të mirën e këtij sporti, sepse nuk mund të vazhdohet më me idenë e pajtimit me KOKSH. Mundja dhe mundësit janë me zemër të madhe dhe nuk janë as policë, as njerëz të pistoletave dhe kriminelë.”
“Kemi qenë sporti i dytë pas futbollit për kampionët që kishim, ndërsa në periudhën 1979-1991 të jenë të bindur që nëse do të kishim qenë në aktivitete ndërkombëtare do të kishim nxjerrë 4-5 kampion bote, – ka këmbëngulur ish-sportisti, tashmë deputet i parlamentit shqiptar. – Bashkëpunoni dhe ju premtoj që ju mbështes edhe nëpërmjet sponsorëve të tjerë për të mirën e zhvillimit të këtij sporti”.
E më pas gjithçka ka mbetur tek ai vendim i famshëm i Federatës Botërore të Mundjes, ndërsa Biba ka premtuar se, gjë që ia ka thënë edhe ndërkombëtarëve, nëse do të ketë bllokim ai dhe stafi i tij dorëhiqet. Por çengeli i ndërkombëtarëve duket shumë i rëndë këtë herë. E kjo jo vetëm për mundjen…