AlbanianSport.com 31.01.2016 13:45
ASNN – Besart Berisha nuk di të ndalet së shënuari gola në Australi me ekipin e tij, Melbërn Viktori. Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare vazhdon të funksionojë si “një makineri golash.
Edhe pse skuadra e tij ka qenë në disavantazh të dyfishtë 0-2, ndaj Përth Glorit, ai sërish është shfaqur vendimtar duke shënuar dygolësh spektakolar në ndeshje, por që nuk ka mjaftuar.
Ndeshja e vlefshme për javën e 17-të të Kampionatit Australian të Futbollit, që njihet si “Liga A”, përfundoi 3-2 në favor të ekipit të Përth Glorit, që e gjeti golin e e fitores nga pika e bardhë e 11-metërshit.
Me humbjen e sotme, Melbërni Viktori, kampion në fuqi, mbetet në vendin e 4-ët në renditje, me 27 pikë të grumbulluara deri tani. Besart Berisha gjeti golin e parë në minutën e 44-të.
30-vjeçari kontrolli mjaft bukur topin dhe lëshoi një të majtë të hidhur, që u preh në rrjetë. Ndërsa në pjesën e dytë ai shënoi edhe një tjetër gol, kur skuadra e tij ishte me 10 lojtarë, duke barazuar momentalisht rezultatin.
Kësisoj, Besart Berisha i ka çuar një “selam” trajnerit të Kombëtares, Xhovani De Biazi, sa i përket thirrjes për në Evropianin e verës, ku sulmuesi robust shihet si alternativë e dobishme për të gjetur golat në sulmin kuqezi.