Gjergj Vyshka 31.01.2016 09:35
Presidenti Martin Biba sqaron asamblenë për takimin që kanë pasur në Lozanë me presidentin e Federatës Botërore, Nenad Laloviç, e pasi është dëgjuar dhe presidenti i KOKSH, Viron Bezhani, pritet vendimi. “Ne ishim, – ka thënë Biba, – në një takim në Federatën Botërore të Mundjes për shkak të disa mosmarrëveshjeve me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Ne jemi anëtarë të tij dhe si të tillë kemi qenë ballë për ballë në një takim që ka zgjatur mbi 6-7 orë.”
“Nga mosmarrëveshjet dhe konfliktet nuk përfiton askush dhe nuk ka mirë njeri, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris mundjen shqiptare. – Ne jemi taksapagues në KOKSH, marrim pjesë në Lojërat Olimpike. Por ka moszbatime të vendimeve tona, tejkalime në emra jo vetëm të dërgimit të trajnerëve në kurse kualifikimi, por dhe në përfitimin e bursës olimpike. Dhe në një farë mënyre kemi rakorduar me ndërkombëtarët, edhe sepse jemi dhe do të mbetemi pjesë e tyre.”
“Bezhani ka këmbëngulur në të tijën, për zgjedhjet e reja në mundjen shqiptare, kurse ne kemi mbetur në zgjedhjen tonë, domethënë konfirmimin e mandatit aktual, 2015-2019”, – ka shtuar Biba, sipas të cilit nga Federata Botërore e Mundjes është marrë informacioni që në 2016 edhe duke qenë një vit olimpik nuk mund të ketë zgjidhje. Megjithatë… “Askush nuk është i pazëvendësueshëm dhe të gjithë të zgjedhurit janë sipas jush”, – ka thënë ai.
“Por ne kemi informuar dhe Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për këto situata që janë krijuar, ndërsa ata do të sjellin dhe konkluzionet e ne jemi në pritje të vendimit të Federatës Botërore. Thirrja ime është që të punoni më shumë me shefat e klubeve, të konfirmoni veten tuaj dhe të mos lejoni mandatet e dyfishta. Sepse do të na dëmtojnë më shumë dhe ky do ishte një turp më shumë”, – ka përfunduar presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes.