Gjergj Vyshka 31.01.2016 07:05
Mundja shqiptare, por pse jo dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar si ndërhyrëse në punët e brendshme të kësaj Federate, duket se janë në çengelin e ndërkombëtarëve. Ky ka qenë edhe thelbi i asamblesë së zakonshme të Federatës Shqiptare të Mundjes, quajtur ndryshe analiza vjetore, e cila është zhvilluar dje në mjediset e Hotel “Diplomat 2” në Tiranë.
Për të gjithë situatën e krijuar, presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, ka sqaruar asamblenë dhe komunitetin e atij sporti. Dhe sipas tij është e nevojshme për të mirën e sportit të mundjes që të lihen mënjanë konfliktet dhe të bashkohen të gjithë për zhvillimin cilësor të tij. Në takimin e Lozanës, Biba ka qenë i shoqëruar nga zëvendëspresidenti Ndoç Çokaj, si dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ndriçim Spahiu.
Kurse pjesa tjetër e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka qenë e përfaqësuar nga presidenti Viron Bezhani, si dhe avokati Erjon Kanxheri. Palët kanë qëndruar secila në llogoret e tyre, atje ku Bezhani ka këmbëngulur në parregullsinë e zgjedhjeve të 30 majit, ndonëse brenda tyre kanë qenë të përfaqësuar dhe ndërkombëtare, kurse Biba ka kërkuar legjitimitetin e mandatit të tij 2015-2019.
Madje Biba ka shkuar më tej kur ka thënë që nuk është normale që shkohet në Federatën Botërore të Mundjes për të zgjidhur konfliktet dhe nuk shkohet për të kërkuar bazë materiale, apo pse jo dhe organizim aktivitetesh. “Të gjitha zhurmat e krijuara, apo pengesat janë për të keqen e mundjes dhe askujt tjetër”, – ka theksuar kreu i FSHM-së, Martin Biba.