AlbanianSport.com 30.01.2016 20:25
ASNN – Rinkonstruksioni i Stadiumit “Loro Boriçi” ka shtrënguar të largohet jo vetëm ekipi i futbollit, por edhe ai i peshëngritjes. Sipas televizionit shqiptar, “TV Klan”, sportistët e klubit Vllaznia tani stërviten në korridoret e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”, në një hapësirë që e përshtasin për palestër.
Por, lagështira dhe i ftohti i pengon që të zhvillojnë shtangistët një përgatitje normale, madje gjatë seancës së ditës së enjte mungonte edhe energjia elektrike. Siç rrëfen trajneri Muhamet Tuzi, në këtë stinë me reshje kushtet i detyrojnë peshëngritësit të ndërpresin stërvitjen.
“Për 1 ose 2 orë shi ne duhet të qëndrojmë disa ditë pa stërvitje, pasi mbushet me ujë dhe pedana dhe shtangat lagen”, – ka deklaruar trajneri shkodran për median në fjalë. Klubi është në kërkim të një tjetër vendi, por është vështirë të gjendet një mjedis i përshtatshëm.
“Është e vështirë që të gjendet një vend për stërvitje, pasi i shmangen të gjithë, sepse ai mjedis që ne do të marrim do të ketë pasoja, – ka pohuar Tuzi. – Shpresoj që të mos ketë shumë shi dhe të mbarojë sa më shpejt ndërtimi i palestrës.” Vllaznia është një klub sportiv furnizues për përfaqësueses e peshëngritjes ku më i njohuri është Erkand Qerimaj, i cili është shpallur edhe “kampion” i Evropës.