Gjergj Vyshka 30.01.2016 13:45
Ka qenë një tjetër histori në ndeshjen Studenti-Al Xhazira Sport Klub Abu Dabi, që ishte gjysmëfinalja e dytë e turneut ndërkombëtar të volejbollit për meshkuj, që po zhvillohet në Sallën Sportive “Fahrie Hoti” në kryeqytet. Për arabët e Zhorzhes ka mjaftuar vetëm danezi Distlevsen që të realizojë 41 pikë në total nga 86 pikë që realizoi e gjithë skuadra mike. Danezi i saktë në të gjitha pozicionet e fushës për të realizuar me sulm në pesë sete ka shënuar 32 pikë duke qenë dhe pikëshënuesi më i mirë.
Por i tillë ka qenë edhe në bllok, teksa ka pasur katër mure fituese, sikurse edhe në shërbim me 5 rezultative. Dhe në të gjitha parametrat ishte ai i lojtari i ndeshjes. Ndaj dhe ka qenë një fenomen më vete, ndërsa Al Xhazira Sport Klub Abu Dabi në dukje nuk ta mbushte mendjen. Por mjaftoi danezi që kjo skuadër të ishte në finale, ndërsa në pesë sete realizoi 108 pikë prej 86 vetë, kurse 22 pikë kanë ardhur nga gabimet e Studentit.
Kurse Studenti në pesë sete shënoi 102 pikë, prej të cilave 67 pikë vetë, kurse 35 pikë janë nga gabimet e arabëve. Pra kundërshtari, në pamje të parë një skuadër e rëndomtë dhe shumë modeste, por e mirëpaguar, ia doli të ishte fituese me Studentin. E nis mirë ndeshjen Al Xhazira teksa fiton setin e parë 22-25. Por kthen Studenti në setin e dytë, teksa ka fituar 26-24. Luhet si “macja me miun”, sepse të tretin e fiton Al Xhazira 18-25 dhe të katërtin Studenti 25-19.
Dhe në finale, atje ku Tomorri jo pak është parë të debatojë me tone të larta me organizatorin Çali, fiton skuadra arabe 11-15. Për Studentin dy ardhjet e reja, bullgari Vuldiev (13 pikë me sulm, një me bllok dhe një me shërbim) dhe Troka (18 pikë me sulm, dy me bllok dhe një me shërbim) kanë mbajtur dhe peshën kryesore të ekipit. Mirëpo duket se kërkohet një tjetër hap në përballjet ndërkombëtare që të jenë fitues, sepse ndodh që të të mund një lojtar i vetëm si danezi Distlevsen.
Studenti – Al Xhazira Sport Klub 2-3
(22-25, 26-24, 18-25, 25-19, 11-15)
Studenti: Tukseferi, Gorenxa (L), Memia, Kono, Malaj, Vuldjev, Troka / Kasa, Çali, Qerraxhija, L. Martiro, K. Martiro. Trajner: Y. Tomorri
Al Xhazira Sport Klub: Omar Hamid, Ditlevsen, Rashid, Mansur (L), Khalid, Alsanari / Tarak (L), Saed, Atas, Auad. Trajner: E. Zhorzh
Gjyqtarë: A. Telo, E. Zenullari (Tiranë)
Ndihmës: R. Ekmekçiu (Elbasan), A. Brokaj (Tiranë)
Turneu Ndërkombëtar “Conad”
Volejboll – Meshkuj
Gjysmëfinalet:
Dje:
Tirana – Vllaznia 3-2
(25-22, 18-25, 15-25, 25-21, 15-13)
Studenti – Al Xhazira Sport Klub 2-3
(22-25, 26-24, 18-25, 25-19, 11-15)
Finalja:
Sot:
Tirana – Al Xhazira Sport Klub