Gjergj Vyshka 30.01.2016 12:05
Shoqata Superior Basket i është bashkuar iniciativës së “Tirana Business University” për të kontribuar sadopak financiarisht në shërimin e djaloshit Klajdi Spahiu, i diagnostikuar tashmë me leuçemi. Dhe dje të gjitha grupet e kësaj shoqate, që nga ekipi i moshës deri në 10 vjeç e deri tek të rriturit, kanë qenë pjesëmarrës në aktivitetin “Ditët e kinemasë për një javë”.
Atje secili pjesëmarrës ka kontribuar minimalisht me 100 lekë dhe kanë ndjekur filmat e përzgjedhur. “Ne jemi njerëz human, atje ku dashuria, mbështetja dhe përkrahja duhet të mbizotërojë për këdo që ka nevojë. Klajdi të urojmë shërim të shpejtë. Bëhu Superior mbi sëmundjen”. Ky ka qenë urimi i stafit të shoqatës Superior Basket, që tashmë është pjesë edhe e aktiviteteve të bamirësisë.
Ndërkohë ja dhe lajmërimi i “Tirana Business University” për këtë aktivitet: “Studentët dhe stafi i TBU me qëllim solidarizimin dhe ofrimin e kontributit financiar në nevojë të Klajdi Spahiut, të prekur nga leucemia, do të organizojnë ditën e kinemasë për një javë! Pjesëmarrësit të cilët do t’i bashkohen kësaj iniciative në mënyrë vullnetare duhet të kontribuojnë me 100 lekë për çdo film që dëshirojnë të shohin!”
“Të ardhurat e akumuluara do t’i adresohen numrit të llogarisë bankare të familjes Spahiu të vënë në dispozicion të njerëzve të cilët kanë mundësinë të kontribuojnë sadopak”, – përfundon lajmërimi i “Tirana Busines University” për këtë aktivitet.