Albaniansport.net 28.01.2016 13:05
ASNN – Paris SG praktikisht e ka mbuluar me ar Zllatan Ibrahimoviçin, pasi sulmuesi suedez i gjigandes franceze, të mbështetur nga paraja arabe, do të fitojë plot 1 milion euro në muaj. Është lojtari më i fortë, por edhe më i paguari i kampionatin francez. Këtë rekord e mbante që nga dita kur u prezantuar përpara kullës “Eifel”, por Zllatan Ibrahimoviçi e ka thelluar akoma më shumë diferencën me të gjithë futbollistët e tjerë të Ligës 1 të Francës.
Paris SG-ja e ka rritur ndjeshëm përfitimet e sulmuesit suedez, që me rinovimin e kontratës do fitojë 1 milion euro neto në muaj. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja franceze “Le Parisien”, që shpjegon se vendimi i klubit parizien është prapaveprues, çka do të thotë se Ibrahimoviç do të shijojë rritjen e të ardhurave të tij edhe për gjashtë muajt e fundit të vitit të shkuar. Me 12 milion euro në vit, sulmuesi bëhet futbollisti më i paguar në Francë me një diferencë të madhe me kolegët e tij.
Por vlerësimi i Paris SG-së për suedezin nuk përfundon me kaq. Në kontratën e re janë parashikuar edhe tre shpërblime të veçanta për lojtarin. Kështu, nëse skuadra konfirmohet “kampione”, Ibrahimoviç do të fitojë edhe 1.5 milion euro të tjera. I njëjti diskutim nëse formacioni parizien fiton Ligën e Kampioneve dhe nëse vetë sulmuesi do të shpallet lojtari më i mirë i kampionatit. Me këtë lëvizje, Paris SG-ja e largon Zlatan Ibrahimoviç nga merkato dhe bind sulmuesin të qëndrojë në Ligën 1, pas deklaratave të tij, ku linte të hapur mundësinë për të mbyllur karrierën në një tjetër skuadër.