ASNN – Pas shumë diskutimesh merr fund edhe odiseja e kalimit të Alsid Tafilit nga Partizani tek Vllaznia. Për një çështje të tillë kanë komentuar jo pak herë trajneri Armando Cungu dhe administratori Gjyrezi, duke akuzuar Partizanin që nuk po qëndronte korrekt në lidhje me marrëveshjet mes dy klubeve për të rikthyer Tafilin në Shkodër. Por, nga informacionet me të, bëhet e ditur se ardhja e Tafilit në Shkodër nuk është realizuar mbi bazën e marrëveshjeve për këmbimin e futbollistëve.
Këtë e konfirmon për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, vetë Tafili duke bërë të qartë që pasditen e së mërkurës ka arritur marrëveshjen me drejtorin e KF Partizani, Dervishi, dhe presidentin Demi duke zgjidhur me mirëkuptim kontratën që kishte ai me këtë klubi. “Po, po, çdo gjë është zgjidhur me mirëkuptim mes meje dhe drejtuesve të klubit Partizani, të cilët i falënderoj për bashkëpunimin e deritanishëm”, – thotë Tafili.
Ndërkohë ai shton se: “Një shtysë shumë e madhe për të ardhur në Shkodër përsëri ka qenë edhe vendosja në krye të ekipit të trajnerit Armando Cungu, të cilit i jam mirënjohës për besimin që më dha”. I pyetur për formën sportive që gëzon, Tafili bën të ditur se ka qenë në aktivitet të plotë me Partizanin në të gjitha etapat e fazës përgatitore dimërore.
“Edhe të mërkurën jam stërvitur rregullisht, pushimin e darkës do ta bëj në Tiranë dhe të enjten kam të programuar të nisem herët në mëngjes për të udhëtuar drejt Shkodrës në mënyrë që të kapë normalisht stërvitjen e mesditës me Vllaznisë, që do të jetë edhe e para e ime pas rikthimit”, – ka përfunduar Tafili.