Albaniansport.net 26.01.2016 23:30
ASNN – Sfida më e madhe në luftën kundër dopingut është edukimi i sportistëve dhe njerëzve të sportit. Ky ka qenë lajtmotivi i Konferencës Kombëtare për Anti-dopingun, që u mbajt sot në mjediset e Universitetit të Sporteve në Tiranë.
Në mjediset e Universitetit të Sporteve në Tiranë është mbajtur të martën Konferenca Kombëtare për Anti-dopingun, e organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Komisionin Kombëtar të Anti-dopingut dhe Organizata Shqiptare e Luftës kundër Dopingut.
Pjesëmarrësit në këtë konferencë, kryesisht sportistë, trajnerë, gjyqtarë, zyrtarë dhe drejtues të sportit u informuan mbi ndryshimet e reja në Kodin e Organizatës Botërore të Anti-dopingut (WADA), ndërsa theksi nga ana e lektorëve u vu tek substancat e përdorura më shpesh dhe tek rreziqet që paraqet përdorimi i tyre në veçanti.
Sipas drejtorit të Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, sfida më e madhe është edukimi i sportistëve. Problemet me dopingun, sidomos në peshëngritje, kanë bërë që Shqipëria të shkojë me një delegacion më të reduktuar në Lojërat Olimpike të këtij viti, që do mbahen në Brazil.