Albaniansport.net 26.01.2016 16:10
ASNN – “Një hap të guximshëm, por në drejtimin e duhur”. Kështu e ka cilësuar Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, pjesëmarrjen me 7 ekipe përfaqësuese në Kampionatet Evropianë të të gjitha grupmoshave. Duke folur ekskluzivisht për AlbanianSport.com, Llazani thekson vendimtar në këtë sipërmarrje ka qenë roli i atyre që e kanë mbështetur dhe e mbështesin basketbollin.
Janë hedhur në fundjavë shortet e fazës eliminatore të Evropianeve të basketbollit të të gjitha grupmoshave dhe, si rrallëherë më parë, Shqipëria merr pjesë me 7 ekipe përfaqësuese. Duke folur për AlbanianSport.com, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit e cilëson këtë pjesëmarrje një hap të guximshëm, por në drejtimin e duhur.
“Përtej kësaj, kërkojmë me këmbëngulje të bëjmë edhe sforcon maksimale, të bëjmë maksimumin e mundshëm, që ne, së paku, të arrijmë që brezave t’u japim shansin, t’u japim mundësinë, t’u japin atë që është parësore në çdo aspekt të jetës së vendit, integrimin edhe në sport në strukturat evropiane”, – ka deklaruar ndër të tjera nr. 2 i organizmit që qeveris koshin shqiptar.
Për Llazanin, vendimtar në këtë sipërmarrje ka qenë roli i atyre që e kanë mbështetur dhe e mbështesin basketbollin. “Duhet të vlerësojmë dhe të përmendim kontributin dhe mbështetjen që na kanë dhënë edhe sponsorët, që në këtë rrugëtim tonin, janë gjendur pranë FSHB-së, e kanë mbështetur atë dhe shpresojmë që të shërbejnë si “shkëndija ndezëse” për të nxitur edhe mbështetës të tjerë në këtë kauzë”, – ka thënë Llazani.
– Njëra Kombëtare është në veprimtari e sipër, 6 të tjera bëhen gati. A është kjo sipërmarrja më e madhe në basketbollin shqiptar, përsa i përket Federatës Shqiptare të Basketbollit?
– Natyrisht, nuk ka ndodhur asnjëherë, në 70 vite ekzistencë të Federatës Shqiptare të Basketbollit, që të kemi një pjesëmarrje të tillë. Zgjedhja për të marrë pjesë në veprimtaritë ndërkombëtare, me një pjesëmarrje kaq të gjerë, natyrisht që është një sforco shumë e madhe, por, njëkohësisht, është edhe një impenjim personal i forumeve drejtuese të Federatës Shqiptare të Basketbollit, dhe veçanërisht presidentit të saj, Z. Avni Ponari, që, në kuadër të 70-vjetorit tonë, të zgjedhim këtë lloj nisme, për të integruar basketbollin shqiptar, me të mirat dhe të këqijat e veta, në strukturat evropiane, duke e konsideruar këtë si një rrugë të vetme në zhvillimin e këtij sporti në vend. Pra, pjesëmarrja me Nën-16-vjeçarët, djem dhe vajza, Nën-18-vjeçarët, djem dhe vajza, Nën-20-vjeçarët, djem, që nuk është më viti i parë, por është vazhdim i strategjisë së Federatës Shqiptare të Futbollit, si dhe pjesëmarrja me të rriturit, pas të rriturave, plotëson zinxhirin e domosdoshëm të një strukture kombëtare të basketbollit. Ne jemi të ndërgjegjshëm për kushtet në të cilat stërviten ekipet kombëtare, kushtet në të cilat stërviten klubet që marrin pjesë në veprimtaritë kombëtare, ne jemi të ndërgjegjshëm për situatën financiare në të cilën klubet, por edhe vetë federata, gjenden. Por, përtej kësaj, kërkojmë me këmbëngulje të bëjmë edhe sforcon maksimale, të bëjmë maksimumin e mundshëm, që ne, së paku, të arrijmë që brezave t’u japim shansin, t’u japim mundësinë, t’u japin atë që është përparësore në çdo aspekt të jetës së vendit, integrimin edhe në sport në strukturat evropiane.
– Më tepër se një bast për t’u fituar, është ky për FSHB-në një bast për t’u provuar?
– Nuk do ta quaja bast, por e konsideroj një investim të fuqishëm, ambicioz dhe afatgjatë. Pra, do të pranojmë kostot, do të pranojmë çdo gjë, sepse kemi zgjedhur rrugën e vetme dhe të domosdoshme, atë të integrimit. Kostot do të jenë gjithanshme dhe për këtë jemi të bindur, por, pa kosto, nuk ka arritje.
– U zhvillua këto ditë një seminar me gjyqtarët, ndërkohë që janë zhvilluar edhe të tjerë me trajnerët dhe zyrtarët e ndeshjeve. A do të kemi gjatë këtij viti seminarë të tjerë të tillë, për gjyqtarët, për trajnerët, e të tjerë?
– Ky seminar me drejtuesin e gjyqtarëve të “FIBA Evropës”, Davorin Nakiç, është në fakt, i vetmi i zhvilluar në Shqipëri për basketbollin, në këtë formë dhe në këtë kontekst. Natyrisht që nuk do të jetë i vetëm pasi do të ndërthuret nëpërmjet aplikimit të seminarit që ne kemi bërë në rakordim me FIBA, me KOKSH-in, me Solidaritetin Olimpik, për ngritjen e strukturës së trajnerëve të rinj. Pra, krahas kësaj strukture, ne bashkëngjisim strukturën e gjykimit, lidhjen midis gjyqtarit, trajnerit dhe sportistit, të cilat janë hallka të domosdoshme dhe kërkojnë zhvillim të herëpashershëm, kërkojnë përditësim të vazhdueshëm, në të mirë të zhvillimit të basketbollit në vendin tonë.
– Së fundi, a prisni rritje të mbështetjes në këtë betejë tuajën?
– Krahas gjithë kësaj, ne duhet të vlerësojmë dhe të përmendim kontributin dhe mbështetjen që, krahas “FIBA Evropës” dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit, na kanë dhënë edhe sponsorët, që në këtë rrugëtim tonin, janë gjendur pranë FSHB-së, e kanë mbështetur atë dhe shpresojmë që të shërbejnë si “shkëndija ndezëse” për të nxitur edhe mbështetës të tjerë në këtë kauzë. Nuk mund të rri pa përmendur z. Ilir Trebicka, z. Kostandin Shkurti, z. Avni Ponari dhe z. Ilir Taflaj, të cilët e kanë mbështetur gjithë fushatën tonë eliminatore të Kombëtareve të grupmoshave gjatë vitit të shkuar dhe që shpresojnë ta bëjnë këtë edhe për edicionin që kemi në prag, në mënyrë që të bëhemi të gjithë së bashku, të vëmë nga një “tullë” në ndërtimin e një “kështjelle” në të mirë të basketbollit në Shqipëri.