Albaniansport.net 26.01.2016 15:15
ASNN – Nën hetim Juve, Milan, Lazio e Napoli. Akuzohen për evazion fiskal dhe falsifikim. Kështu, futbolli në Itali tronditet sërish. Në një operacion në shkallë të gjerë, të mbiquajtur “Jashtë Loje”, “Guardia di Financa” ka bërë disa kontrolle. Të përfshirë janë 64 persona mes të cilëve administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentis, presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, Zhan Klod Blonk, në cilësinë e ish-presidentit dhe administratorit të Juventusit, futbollisti Ezekiel Laveci, ish-futbollisti Hernan Krespo, si dhe menaxheri i futbollit, Alesandro Moxhi, djali i ish-administratorit të Juventusit, Luçiano Moxhi.
Në listën e Guardia di Finanza janë edhe presidentë dhe ish-presidentë dhe zyrtarë të lartë të shumë klubeve të Serisë A dhe B. Akuza për të gjithë është evazion fiskal dhe falsifikim faturimesh. Financierët dyshojnë se 35 klube futbolli kanë ndërtuar një sistem me qëllim për të shmangur taksat. Vepra penale bazohej mbi shitblerjen e futbollistëve. Menaxherët u paraqisnin fatura false klubeve të futbollit duke pretenduar se puna e tyre e ndërmjetësit ishte në interes të klubit por në fakt kujdeseshin vetë për interesat e futbollistëve. Ky është një prej mekanizmave të veprës penale që solli sekuestrime deri tani në vlerë 12 milionë euro.
Nga ana e tyre klubet përfitonin nga tatimi mbi vlerën e shtuar ndërsa futbollistët përfitonin duke mos e deklaruar të plotë shumën e kontratës së tyre. “Guardia di Financa” e ka nisur hetimin në viti 2012 në selinë e klubit të Napolit dhe të Federatës Italiane të Futbollit nisur nga tranferimi i futbollistit Ezekiel Laveci, nga Napoli, tek Paris SG-ja. Hetuesit flasin për një fenomen që ka marrë përmasa të mëdha në futbollin italian.